SHBA merr medaljen e artë në patinazh artistik
Ashtu si gjithnjë, patinazhi artistik ka mahnitur të gjithë me mrekullitë e përcjella në pistën e akullt, nga patinatorët protagonistë në Milano Cortina 2026. Ilia Malinin i SHBA, përtej ekzekutimit të jashtëzakonshëm të ushtrimeve të tij, arrin një rekord historik pikësh, me 200 të grumbulluara. Duke bërë që SHBA të marrë medaljen e artë në renditjen ekipore të patinazhit artistik.
Mrekullia ka ndodhur. Pikërisht në Arenën e akullt të Milanos, patinazhi artistik ka marrë vëmendjen e të gjithë botës. Nëpërmjet Radio Televizionit Shqiptar, sytë e të gjithë shqiptarëve janë mrekulluar nga ushtrimet, figurat dhe ekzekutimi i jashtëzakonshëm i patinatorëve, protagonistë, në luftë për medaljet. Dhe me meritë, SHBA është fituese e medaljes së artë në konkurrimin ekipor me 69 pikë.
Me Ilia Malinin që me ekzekutimin e tij të rrallë, merr 200 pikë, një rekord i ri pikësh ky në historinë e patinazhit artistik. Drithërimat përshkojnë të pranishmit dhe spektatorët kudo ku janë, duke mbajtur frymën nën interpretimin e ushtrimeve të vështira të patinatorit amerikan. Në fund të gjitha ovacionet e publikut janë për të, përfshirë edhe legjendën e tenisit Novak Djokovic, që nuk i kursen duartrokitjet.
Në vend të dytë, me medalje argjendi është Japonia me vetëm 1 pikë pak se SHBA, 68. E ndihmuar jashtëzakonisht shumë nga dy yjet e saj, Sakamoto Kaori për vajza dhe Sato Shan për djem. Performanca të jashtëzakonshme të patinatorëve japonezë që të lenë pa frymë. Por që gjithseni nuk mund ta kalojnë dot Malinin. Ndërkohë që medaljen e bronztë e merr Italia në klasifikimin ekipor me 60 pikë të grumbulluara.