Thursday, 19. February 2026
Sport

Milano-Cortina në RTSH/ Skeleton, CIO thotë “Jo” për kaskën e ukrainasit me viktimat e luftës

GS 10/02/2026 2 Min. Lesezeit

Heraskevych ka reaguar në rrjetet sociale: Shumë prej tyre ishin sportistë, miqtë e mi. Ky vendim ma thyen zemrën

“CIO ka ndaluar përdorimin e kaskës time”. Sportisti ukrainas i skeleton, Vladyslav Heraskevych, flamurmbajtës në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, ka njoftuar në rrjetet sociale se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e ka lejuar të mbajë kaskën me imazhet e njerëzve të vrarë gjatë luftës në vendin e tij. “Ky vendim më thyen zemrën”, – ka shkruar ai.

Ukrainasi 26-vjeçar e ka mbajtur kaskën gjatë dy sesioneve të para të stërvitjes së djeshme. CIO për momentin nuk ka dhënë asnjë deklaratë për këtë çështje.

“Kam përshtypjen se CIO po tradhton ata sportistë që bënin pjesë në lëvizjen olimpike, duke mos i lejuar ata të nderohen në arenën sportive, ku nuk mund të shkelin më”, – ka specifikuar Heraskevych. Ai ka shpjeguar për Reuters se shumë nga personat që kanë portretin në kaskën e tij ishin sportistë. Mes tyre edhe peshëngritësja e re Alina Peregudova, boksieri Pavlo Ishchenko dhe lojtar i hokejit në akull, Oleksiy Loginov.

Komiteti olimpik ukrainas është njoftuar për ndalimin e kaskës  nga Toshio Tsurinaga, përfaqësues i CIO-s, përgjegjës për komunikimin mes sportistëve, komiteteve olimpike dhe vetë CIO-s. Me një postim në X, presidenti ukrainas Zelensky e ka falënderuar Heraskevych “që i ka kujtuar botës çmimin e luftës së ukrainasve”.

Sportistët e skeleton do të zbresin sot në pistë për dy sesione të tjera stërvitore.

Teilen: