Të enjten, do të mësohen edhe tri skuadra tjera që do të paraqiten në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Të martën edhe mërkurën, janë përcaktuar katër skuadrat e para që kanë avancuar nga 1/8 e finales, ndërsa të enjten do të zyrtarizohen edhe tri tjera, përpara se ekipi i tetë të konfirmohet javën e ardhshme.
Prej orës 13:00, do të zhvillohen tri ndeshje, ku do të paraqiten dy skuadra të Superligës dhe katër të Ligës së parë.
Gjilani – Liria, Vushtrria – Vëllaznimi dhe Trepça ’89 – Malisheva, janë ndeshjet ku të gjitha skuadrat synojnë avancimin nga 1/8 e finales në fazën çerekfinale.
Ndërkohë, ndeshja e fundit e 1/8 së finales, ku do të dihet edhe emri i ekipit të tetë që kualifikohet në çerekfinale, do të mësohet javën e ardhshme.
Më 18 shkurt, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas do të luhet ndeshja ndërmjet Feronikelit ’74 dhe Dinamos nga Ferizaj.