Wednesday, 18. February 2026
Futboll

Kosova mëson sot rivalët në Ligën B të Ligës së Kombeve

GS 12/02/2026 2 Min. Lesezeit

Kosova do të zbulojë sot kundërshtarët për edicionin 2026/2027 të Ligës së Kombeve, ku për herë të parë do të garojë në Ligën B, niveli i dytë i kësaj gare evropiane për kombëtare. Shorti do të tërhiqet në Bruksel duke nisur nga ora 18:00, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për “Dardanët” në skenën ndërkombëtare.

Pas rrugëtimit që filloi në Ligën D dhe vazhdoi me tri edicione në Ligën C, Kosova ka arritur të sigurojë promovimin në Ligën B. Në short, përfaqësuesja jonë bën pjesë në vazon e katërt, së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut – skuadra me të cilat nuk mund të përballet në fazën e grupeve.

Nga vazoja e parë, kundërshtarë të mundshëm janë Skocia, Hungaria, Polonia ose Izraeli. Në vazon e dytë gjenden Zvicra, Austria, Ukraina dhe Bosnjë-Hercegovina, ndërsa nga vazoja e tretë mund të shortohet me Slloveninë, Gjeorgjinë, Irlandën ose Rumaninë.

Ndërkohë, vëmendja e përfaqësueses mbetet te ndeshja gjysmëfinale e plejofit për Botërorin 2026 kundër Sllovakisë, e cila do të zhvillohet më 26 mars në Bratislavë. Ndeshjet e fazës grupore të Ligës së Kombeve janë planifikuar të luhen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor.

Teilen: