Monday, 16. February 2026
Futboll

Zyrtare: Dion Gallapeni huazohet te Wisła Płock me opsion blerjeje

GS 16/02/2026 2 Min. Lesezeit

Dion Gallapeni do ta vazhdojë karrierën në Poloni, pasi është huazuar nga Widzew Łódź te Wisła Płock deri në fund të sezonit 2025/2026, me opsion blerjeje.

21-vjeçari, i lindur më 22 dhjetor 2004, hapat e parë në futboll i bëri te klubi lokal Winner Prizren, ndërsa më pas u transferua te FC Prishtina. Fillimisht pjesë e ekipeve zinxhir, ai debutoi me ekipin e parë në vitin 2023 dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga lojtarët më premtues të skuadrës.

Me Prishtinën regjistroi 61 paraqitje, duke realizuar 5 gola dhe 10 asistime. Vetëm në elitën e futbollit kosovar ai numëroi 49 ndeshje, 2 gola dhe 8 asistime, ndërsa fitoi dy Kupa të Kosovës dhe një Superkupë.

Në verën e kaluar, Gallapeni u transferua përfundimisht te Widzew Łódź, ku gjatë këtij sezoni zhvilloi 10 ndeshje dhe realizoi një gol në elitën polake, si dhe shtoi dy paraqitje në Kupën e Polonisë. Ironikisht, ndeshjen e tij të parë të plotë në kampionat e zhvilloi pikërisht ndaj Wisła Płock, në barazimin 1-1.

Tashmë, anësori i majtë do të ketë mundësinë të dëshmojë vlerat e tij me fanellën e Wisła Płock, skuadër që aktualisht renditet në vendin e dytë në kampionatin polak me 33 pikë dhe synon objektiva madhore këtë sezon.

Në mars 2025, Gallapeni debutoi edhe me Kombëtarja e Kosovës, ku deri më tani ka regjistruar nëntë paraqitje, duke fituar besimin e stafit teknik dhe një vend të qëndrueshëm në formacion.

Teilen: