Këtë të martë rikthehet UEFA Champions League me ndeshjet e fazës “play off”, një moment vendimtar ku çdo gabim mund të kushtojë eliminimin.
Në orën 18:45, Juventus luan një transfertë të vështirë në Turqi përballë Galatasaray. Bardhezinjtë vijnë pas humbjes ndaj Interit dhe synojnë të marrin një rezultat pozitiv në Stamboll. Një barazim do të konsiderohej i pranueshëm, duke pasur parasysh forcën e skuadrës turke në fushën e saj.
Nga ora 21:00 zhvillohen tre përballje të tjera. Real Madrid rigjen Benfica, ekip me të cilin u ndesh edhe në fund të fazës së ligës. Madrilenët u mposhtën 4-2 në Portugali dhe do të kërkojnë revanshin, ndërsa kanë avantazhin se ndeshjen e kthimit do ta luajnë në shtëpi.
Një duel mjaft interesant pritet të jetë ai mes kampionëve në fuqi Paris Saint-Germain dhe AS Monaco. Parizienët konsiderohen favoritë, por përballjet mes dy skuadrave franceze shpesh rezervojnë surpriza.
Ndërkohë, në Signal Iduna Park, Borussia Dortmund pret Atalanta. Të dyja ekipet njihen për stilin ofensiv dhe formën e mirë aktuale, ndaj pritet një sfidë me ritëm të lartë dhe spektakël në fushë.