Pjesa e parë mes Galatasaray-it dhe Juventusit dhuroi një spektakël të vërtetë, me 3 gola të shënuar, në sfidën e parë të play-offit, e cila po luhet në Stamboll.
Sfida u zhbllokua në minutën e 15-të, ku pas një rivënie anësore për Juventusin dhe topit të humbur në zonën e tyre nga Kenan Yildiz, ishte braziliani Gabriel Sara që gjeti golin me një goditje të bukur me të majtën.
Megjithatë, kundërpërgjigjja e bardhezinjve ishte e menjëhershme. Në aksionin e parë pas golit, Andrea Cambiaso kroson në zonë për Pierre Kalulu, goditja e francezit me kokë ndalet nga portieri vendas Cakir, por Teun Koopmeiners që ndoqi aksionin deri në fund, e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë dhe të barazonte shifrat 1-1.
Në minutën e 32-të, Teun Koopmeiners shënon golin e dytë personal dhe të dytin për Juventusin, pas një kombinimi të bukur me Weston McKennie dhe finalizimit perfekt me një goditje të fuqishme me të majtën brenda zonës.
Dy minuta më pas, vjen lajmi i keq për Juventusin. Gleison Bremer lë fushën e lojës duke çaluar, zëvendësim i detyruar për bardhezinjtë. Në vend të brazilianit futet Federico Gatti. Në minutëne 37-të, Luciano Spalletti por edhe një pjesëtar i stafit të klubit turk ndëshkohen me kartonë të verdhë për protesta. Pjesa e parë mbyllet 1-2 për Juventusin.