Sulmuesi i Bayern Munich, Luis Diaz, ka folur për mediat gjermane rreth largimit nga Liverpool verën e kaluar. “Kur Bayern më kontaktoi, ishte e qartë që nga momenti i parë se doja ta realizoja këtë transferim. Më mbushi me krenari sepse e njihja klubin për një kohë të gjatë dhe në thelb e kuptoja se çfarë të prisja atje”, tha kolumbiani.
“Ishte një vendim i mirë, një vendim për të luajtur në një ekip të pabesueshëm dhe të shkëlqyer. Dhe kur mbërrin në një vend të ri, natyrisht dëshiron të japësh më të mirën tënde, të japësh 100% dhe të ndihesh rehat aty ku je”, shtoi më tej Luis Diaz, që po shkëlqen në sezonin e parë në Bundesliga (19 gola në 32 ndeshje në total).
Më tem Luis Diaz tha: “Të jesh i lumtur është gjëja më e rëndësishme për një lojtar, por dhe për familjen e tij gjithashtu. Ishte pikërisht lëvizja e duhur për të ardhur këtu. E dija që do të bashkohesha me një grup futbollistësh jashtëzakonisht të fortë dhe një klub me infrastrukturë të shkëlqyer dhe ambiente stërvitore të klasit të parë”.
“Nuk kisha dyshime për këtë. Pjesa më e vështirë për mua dhe familjen time sigurisht që ishte dhe mbetet gjuha. E dija që do të përshtatesha shumë mirë këtu dhe se do të kontribuoja në suksesin e ekipit, ashtu siç bëra te Liverpool. Bayern më besoi dhe po përpiqem ta shpërblej këtë besim në fushë“, përfundoi Diaz.