Wednesday, 18. February 2026
Sport

Klaebo impresionues! Fiton të artën e 10-të në Olimpiada dhe tani synon rekordin absolut

GS 18/02/2026 2 Min. Lesezeit

I jashtëzakonshëm norvegjezi. Pasi u bë sportisti me më shumë medalje ari në Olimpiadat dimërore, nuk ndalet më dhe synon të arrijë të tjera rekorde.

Johannes Hosflot Klaebo nuk ka rivalë. Ai ka udhëhequr Norvegjinë drejt fitores në garën ekipore sprint dhe vazhdon ëndrrën për të fituar të gjitha garat në dispozicion në Milano-Cortina 2026.

Klaebo ka fituar bashkë me shokun e skuadrës Hedegart, përpara SHBA-ve dhe Italisë. Për fenomenin norvegjez ishte rasti të pasuronte listën e rekordeve të tij të pabesueshme. Ai fitoi medaljen e 5-të të artë në 5 gara pas: skiathlon (10 km teknikë klasike+10 km teknikë e lirë), sprint individual në teknikë klasike, 10 km me nisje në interval në teknikë të lirë, stafetën dhe tani sprintin ekipor në teknikë të lirë.

Mungon vetëm një garë për të arritur rekordin e pamundur, por jo për të. Duhet të fitojë garën mbretëreshë të Olimpiadave, 50 km që të dielën mbyll programin e këtyre Lojërave, për të shkuar në 6 të arta në 6 gara të zhvilluara.

Për Klaebo tashmë janë 10 medalje të arta në total, pas atyre të fituara në Pyeonchang 2018, Pechin 2022 dhe 5 mrekullive të Milano-Cortina 2026. Këtyre medaljeve u shtohen një argjend në stafetën e Pechin 2022 dhe një bronz në 15 km 4 vjet më parë. Të dielën do të kërkojë të artën e 11-të.

Me fitoren në stafetën e meshkujve, alieni Klaebo ka parakaluar bashkëkombësit Marit Bjørgen, Bjørn Erlend Dæhlie dhe Ole Einar Bjørndalen, të cilët kishin fituar 8 medalje ari dhe ishin sportistët me më shumë medalje ari në historinë e Olimpiadave dimërore.

Teilen: