Pas zhgënjimeve në dy derbi radhazi, ku barazoi 1-1 me Tiranën dhe humbi 2-0 me Partizanin, Tirana pret të dielën Teutën në një sfidë shumë të rëndësishme sa i takon mbijetesës. Ndeshja luhet në mesditë dhe do të transmetohet në RTSH.
Bardheblutë shpresojnë shumë që këtë herë të kenë të gatshëm sulmuesin Redon Xhixha, i cili u dëmtua kundër Egnatias në Rrogozhinë, ku shënoi golin me vlerën e 3 pikëve. Kapiteni ka munguar në tri ndeshjet e fundit (dy kampionat dhe një kupë). Pa Xhixhën në fushë Tirana ka hasur vështirësi për të goditur portën kundërshtare dhe për të shënuar.
Kundër Dinamo City, edhe pse ishte me një lojtar më shumë për më shumë se një orë, skuadra e trajnerit Nuhiju, nuk ishte thuajse asnjëherë kërcënuese. Pas golit të Falaje që në fillim, Tirana vuajti shumë për të dalë përpara. Në Kupë po ndaj Dinamo City, kjo skuadër nuk shënoi dhe pësoi dy gola.
Në derbin tjetër me Partizanin, bardheblutë u ndëshkuan dy herë dhe pastaj nuk patën fat për të gjetur golin. Këto rezultate kanë bërë që situata të mbetet e komplikuar dhe Tiranës i duhen patjetër pikë kundër Teutës. Që do të thotë se duhet të paktën një gol dhe shpresat janë pikërisht te rikthimi i sulmuesit të ardhur gjatë merkatos së dimrit, Redon Xhixha.
Tirana ka sulmin më të dobët të kampionatit, me 19 gola të shënuar në 24 javë, si dhe mbrojtjen më të dobët, me 36 gola të pësuar.