Raporti vjetor i sponsorizimeve, i publikuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), tregon rritje të ndjeshme të investimeve në sportin kosovar, me klube dhe federata që përfitojnë miliona euro nga bizneset kryesore vendore.
Gjatë vitit 2025, vlera totale e sponsorizimeve në sport në Kosovë ka arritur në 24.456.036.98 euro, duke konfirmuar një trend të qartë rritjeje dhe një rol gjithnjë e më të rëndësishëm të sektorit privat në zhvillimin e sportit.
Nga kjo shumë, 21.3 milionë euro janë orientuar drejt klubeve sportive, ndërsa 2.73 milionë euro kanë përfunduar te federatat sportive.

Në krye të përfituesve institucionalë renditet Federata e Futbollit e Kosovës me 1.313.000 euro, e ndjekur nga KB Ylli me 1.242.000 euro, KB Trepça me 1.239,000 euro dhe KB Sigal Prishtina me 1.210.100 euro.
Ndër përfituesit kryesorë janë gjithashtu FC Prishtina, KF Ballkani dhe SC Gjilani, me shifra që variojnë nga 940 mijë deri në mbi 860 mijë euro.
Sa i përket ndarjes sipas sporteve, futbolli vazhdon të dominojë bindshëm me mbi 9.14 milionë euro, i ndjekur nga basketbolli me 6.62 milionë euro, volejbolli me 1.40 milionë euro dhe hendbolli me rreth 947 mijë euro, duke reflektuar interesin më të madh të sponsorëve për sportet me audiencë më të gjerë.
Në anën tjetër, lista e bizneseve sponsorizuese kryesohet nga Frutex me 727,000 euro, e ndjekur nga IPKO me 690,999 euro dhe Viva Fresh me 635,000 euro. Kontribute të rëndësishme kanë dhënë edhe Banka Ekonomike, TEB, ProCredit Bank, si dhe kompani të tjera vendore që kanë investuar qindra mijëra euro në sport.

Ky nivel i lartë investimi dëshmon se sponsorizimi është shndërruar në një mekanizëm kyç për funksionimin, profesionalizimin dhe rritjen e sportit kosovar.
Në të njëjtën kohë, rritja e shifrave nënvizon nevojën për forcimin e mëtejmë të kornizës ligjore dhe institucionale, në mënyrë që sistemi i sponsorizimeve të jetë më transparent, më i drejtë dhe më efektiv për zhvillimin afatgjatë të sportit në Kosovë.