Saturday, 21. February 2026
Sport

​Emocionohet Nora Gjakova: Sfida më e vështirë qenka fundi i karrierës

GS 21/02/2026 2 Min. Lesezeit

Me emocione të forta dhe mirënjohje të thellë, xhudistja e njohur kosovare Nora Gjakova ka shënuar përmbylljen e karrierës së saj sportive, duke lënë pas një rrugëtim të jashtëzakonshëm plot sakrificë, krenari dhe histori suksesi për sportin e Kosovës.

Në një moment solemn në ceremoninë e laureatëve të vitit 2025 Gjakova u nderua nga Komiteti Olimpik i Kosovës me çmimin për arritje të veçanta, një vlerësim që kurorëzon vitet e përkushtimit dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm në xhudon kosovare dhe në afirmimin ndërkombëtar të shtetit.

Deklarimi i saj, i mbushur me ndjenja të thella njerëzore, preku jo vetëm botën e sportit, por edhe publikun e gjerë, duke zbuluar anën më të vështirë të jetës së një kampioneje, ndarjen nga sporti që e ka ndërtuar si njeri dhe si simbol suksesi.

“Falemnderit shumë Komitetit Olimpik për këtë nderë, është me të vërtetë kënaqësi sidomos ta pranoj këtë çmim nga trajneri im Driton Kuka i cili ka qenë edhe meritori i të gjitha sukseseve të mia. Si sportistë gjithmonë kam menduar që se sfidat më të mëdha janë humbjet, sakrificat, lëndimet, por nuk qenka e vërtetë, sfida më e madhe qenka ta përfundosh karrierën. Pavarësisht që sporti të sfidon fizikisht dhe mentalisht, kjo ka qenë rruga që e kam zgjedhur dhe rruga ku e kam njohur forcën time. Kulmi i karrierës sime do të jetë medalje e artë olimpike sepse në atë garë kam arritur ta ngre lartë flamurin e Kosovës edhe me e pa krejt bota vendin tonë kështu që falemnderit të gjithëve që keni qenë pjesë e rrugëtimit tim”, i shpreh Gjakova.

Përmes kësaj deklarate, Nora Gjakova nuk i dha lamtumirë vetëm tapetit të xhudos, por mbylli një kapitull që frymëzoi breza të tërë sportistësh. Ajo largohet si kampione, si simbol force dhe si një emër që do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së sportit të Kosovës.

Teilen: