Java e 25-të e Abissnet Superiore ka dhuruar emocione të forta për sportdashësit në vendin tonë ku dy skuadrat e kreut ishin të impenjuara përballë ekipeve, të cilat luftojnë për të evituar zbritjen një kategori më poshtë.
Kështu në Ballsh skuadra e Vllaznisë nuk ka mundur që të ruajë serinë e fitoreve duke pësuar një humbje me polemika përballë Bylisit. Stoilov (48’) kaloi vendasit në avantazh në fillimin e pjesës së dytë. Kur të gjithë menduan se takimi po shkonte drejt një mbylljeje pa shumë histori në pesë minutat të shtesës të akorduara nga Emanuela Rusta ndodhi gjithçka. Miqtë pretenduan për një penallti pasi një lojtar i Bylisit preku topin me dorë në zonë, por Rusta pasi u konsultua në VAR nuk akordoi njëmbëdhjetëmetërsh. Skuadra mike u hodh e tëra në sulm gjatë një goditjeje standarde braktisi portën edhe portieri për të tentuar golin që do të evitonte humbjen pas 7 fitoreve radhazi. Topi i rikuperuar nga Bylisi përfundoi në këmbët e Sanogo, i cili mori topin dhe i vetëm shkoi përpara portës së boshatisur për të shënuar golin e 2-0 në të 97’. Skuadra e Martinit nuk u dorëzua dhe gjeti edhe golin e nderit falë Tafilit në të 98’. Në 25 ndeshje kuqeblutë kanë mundur që të marrin 48 pikë dhe mbajnë vendin e parë ndërsa ekipi i Bylisit renditet në të tetin me 23 pikë.
Sa i përket takimit tjetër AF Elbasani, pas humbjes që pësoi një javë më parë në Shkodër, është rikthyer te fitorja edhe pse përballë kishte një rival të vështirë si Vora. Verdheblutë kaluan të parët në avantazh falë Olberkis (29’), por ekipi i Bellait arriti që të ekuilibronte shifrat menjëherë me anë të Kasallës (38’). Në pjesën e dytë skuadra e Gvozdenoviç nuk u dorëzua dhe gjeti edhe golin e dytë fallë Lleshit (82’). Pas 25 javësh AF Elbasani mban vendin e tretë me 45 pikë ndërsa Vora mban vendin e shtatë me 26 pikë.