Redaksia e Sportit në Tëvë 1 shpreh shqetësimin dhe reagimin e saj publik lidhur me komentet fyese, ofenduese dhe me elemente diskriminuese të bëra nga z. Amrush Batatina nënkryetar i KF Llapi në rrjetet sociale në drejtim të analistit të emisionit sportiv VAR, z. Ramiz Shala.
Këto komente erdhën pasi z. Shala, në kuadër të analizës profesionale në emisionin VAR, komentoi humbjen e KF Llapi nga KF Drita si dhe trajtoi komentet dhe dyshimet e ngritura nga tifozë të klubit llapjan për një kurdisje të mundshme të ndeshjes.
Theksojmë se analiza sportive, mendimi kritik dhe trajtimi i temave me interes publik janë thelb i punës sonë gazetareske. Gjatë transmetimit live, redaktori i sportit në Tëvë 1 dhe udhëheqësi i emisionit VAR, Bujar Mehmeti, reagoi menjëherë duke dënuar gjuhën e papranueshme dhe duke mbrojtur integritetin profesional të analistit.
Megjithatë, pavarësisht reagimit institucional dhe thirrjes për maturi, z. Batatina ka vazhduar me ofendime të rënda edhe një ditë më pas në rrjetet sociale, duke thelluar një situatë që nuk i shërben as sportit, as debatit publik dhe as vetë institucionit që ai përfaqëson.
Ne konsiderojmë se bartësit e funksioneve drejtuese në klube sportive duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën e fjalës publike dhe përgjegjësinë që mbart pozita e tyre. Gjuha fyese dhe sulmet personale ndaj analistëve apo gazetarëve cenojnë lirinë e shprehjes, profesionalizmin dhe klimën e debatit të shëndetshëm sportiv.
Redaksia e Sportit në Tëvë 1 mbetet e përkushtuar ndaj gazetarisë së pavarur, analizës profesionale dhe trajtimit të paanshëm të çdo teme me interes publik, duke mos u ndikuar nga presionet apo sulmet personale.
Ftojmë të gjitha palët që debati sportiv të zhvillohet mbi argumente dhe fakte, me respekt dhe dinjitet, në frymën e fair-play që vetë sporti promovon.

