Federata Boliviane e Futbollit do t’i dërgojë një letër FIFA-s për t’i kërkuar forcim të masave të sigurisë në prag të Play-off-it të Botërorit 2026, i programuar për në mars në Meksikë.
Kërkesa vjen pas valës së dhunës që shpërtheu në një nga tre vendet organizatore të Kupës së Botës, pas vrasjes së bosit të narkotrafikut, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.
“Do të kërkojmë marrjen e të gjitha masave të sigurisë. Si delegacion, duam të marrim çdo masë që të ndihemi të mbrojtur”, – ka deklaruar presidenti i federatës boliviane, Fernando Costa, duke saktësuar se priten vendime nga ana e FIFA-s, përfshirë edhe një ndryshim të mundshëm të vendit ku do të luhen ndeshjet.
Turneu kualifikues, që do të përcaktojë dy vende për Botërorin 2026, do të zhvillohet në Guadalajara dhe Monterrey. Në këtë turne marrin pjesë Bolivia, Xhamajka, Iraku, Kongo, Kaledonia e Re dhe Surinami. Bolivia përballet me Surinamin më 26 mars në Monterrey.
Masa më të forta sigurie janë kërkuar edhe nga Portugalia. Federata Portugeze e Futbollit ka bërë me dije se po monitoron me shumë kujdes situatën në prag të miqësores së 28 marsit në stadiumin “Azteca”, kundër të zotëve të shtëpisë. Federata portugeze kërkon nga FIFA që përparësi absolute të ketë siguria e lojtarëve, stafit teknik dhe tifozëve. Pritet që në këtë miqësore të jetë edhe Cristiano Ronaldo.