Celje, Slloveni
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë se rezultati 3:2 në disfatën ndaj Celjes në ndeshjen e parë në Prishtinë para një jave, mund të jetë i kthyeshëm.
Ramadani ka thënë se kanë mësuar nga humbja në “Fadil Vokrri” dhe tani do të mundohen që të kthehen në lojë.
Celje – Drita luhet të enjten nga ora 18:45 dhe është dueli kthyes i plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës.
“Takimi i dytë është edhe më i lehtë edhe më i vështirë. Jemi munduar të nxjerrim disa pika ku kemi mundur të sulmojmë, por nuk i kemi arritur në ndeshjen e parë. Me atë kohë që e kishim, jemi munduar që nëpërmjet analizave t’u japim lojtarëve informata më të hollësishme. Kishim besim që pas 2:0 ta përmbysim rezultatin. Tani kemi më shumë kohë. Ndeshja mund të shkojë edhe në vazhdime. Çfarëdo që bëjmë nesër do të jetë mirë për ne. Jemi në disavantazh, mund të jetë ndeshja e fundit, por mund edhe të vazhdojmë. Futbollistët janë gati, të motivuar, mezi presim orarin e ndeshjes. E kam parë entuziazmin, do ta shohim edhe sonte. Duhet të jemi mendjeprerë, të mos lejojmë hapësira, pasi kundërshtari të ndëshkon në gjysmëraste. Duhet të mos i anashkalojmë rastet që do t’i kemi”, ka thënë Ramadani.
Trajneri Ramadani theksoi se Drita do të luajë për të shënuar gol.
“Gjithmonë luajmë për të hsënuar, pavarësisht kundërshtarit. Bëhet loja për të shënuar, mund të jetë goli i fitores, i barazimit, por mund të mos ketë vlerë. Nuk kemi kualitetin që me një rast ta ndëshkojmë kundërshtarin. Pjesa e dytë ka qenë me guxim. Pjesa e parë ishte e vendosur taktikisht me rezervë. Çdo rinisje nga portieri, kemi qenë te porta kundërshtari. Golat ishin nga goditjet standarde. Duhet të jemi të guximshëm dhe ta mbajmë ekipin kundërshtar sa më larg portës”, është shprehur ai.
Tekniku shkupjan ka bërë edhe thirrje për tifozët shqiptarë që do të jenë në stadium. Ai ka thënë se në fushë do të shohin 11 gladiatorë, jo manekenë.
“Do ta japim më të mirën për ta”, theksoi Ramadani, që ka shtuar se nuk e ka menduar eliminimin.
“Se kam menduar që të eliminohemi. Besoj se mund të kualifikohemi. Duhet ta dimë një gjë. Lus Zotin që të mos mbahemi mend për këtë sukses historik, por të thyhet ky rekord. Nëse mbahemi mend për 10 vjet apo më shumë për këtë sukses nuk është mirë. Shpresoj që vitin tjetër, pse jo të kemi një objektiv më të lartë se këtë vit. Nuk e kam menduar ende eliminimin nga garat e Evropës”
Ramadani për kualifikim tutje e ka marrë shembull Bodo/Glimtin norvegjez, që të martën mbrëma e eliminoi Interin, tri herë kampionin e Evropës, nga Liga e Kampionëve.
Ramadani me Prishtinën vite më parë e kishte mposhtur këtë skuadër.
“Forca e kampionit të Kosovës ka qenë që shumë herët të eliminohet. I kemi befasuar të gjithë. Nuk ka peshore që mund të peshohet forca e skuadrave të Kosovës. Marrim shembull Bodo/Glimtin, që një skuadër e vogël me pak popullsi, arriti që t’i mposhtë tri skuadra elitare të Evropës. Jemi qytet i vogël dhe skuadër e vogël në këtë garë, ndoshta më anonimja, por mbështetemi te grupi luftarak, që na mban neve shqiptarëve. Kur jemi keq, bëhemi bashkë dhe e arrijmë qëllimin. Tani jemi keq pasi jemi në disavantazh. Do të japim së bashku maksimumin për ta arritur synimin”, deklaroi Ramadani.
Ai ka thënë se nuk i ka stërvitur penalltitë, pasi në të kaluarën e kishte praktikuar një gjë të tillë, dhe lojtarët në të cilët kishte besim se do të shënonin, i kanë humbur ato.
“Një herë i kam ushtruar penalltitë dhe ata që i shënonin, i kanë humbur. Mbështetemi te përvoja e Faton Malokut. Do të ishte sukses po të shkonim deri aty. Ne duhet të jemi guximtar për ta sjellë ndeshjen deri në penallti. Besoj se pastaj fati do të ishte me ne”, tha Ramadani.
Te Drita në dyshim për të luajtur është qendërmbrojtësi Jorgo Pëllumbi, për shkak të një shqetësimi në këmbë.