Vllaznia dhe Tirana ndeshen të premten në stadiumin “Loro Boriçi” për llogari të javës së 26-të të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH. “Klasikja e Shqipërisë”, siç quhet tashmë, këtë herë vjen në kushte shumë të ndryshme për dy skuadrat.
Do të jetë një “Klasike” anormale, për shkak të gjendjes që po kalon Tirana, tashmë me trajnerin e 4-t në stol për këtë sezon. Orges Shehi do të debutojë në “Loro Boriçi”, ku Tirana e tij shkon me një diferencë të frikshme pikësh nga Vllaznia, plot 27.
Vllaznia kryesuese po bën një sezon mjaft të mirë, me 48 pikë pas 25 javësh kampionat, kurse Tirana ka vetëm 21 pikë dhe ndjen ethet e rënies nga kategoria. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë trajneri i ri Shehi për të eliminuar këtë diferencë kaq të madhe, që Tirana të dalë me pikë nga Shkodra.
Rivaliteti mes dy skuadrave në fushë dhe tifozëve në tribuna pritet të krijojnë një atmosferë të denjë për një “Klasike” të futbollit shqiptar, ndërsa në fushë Vllaznia duket e favorizuar në letër. Kualiteti i lojtarëve dhe gjendja psikologjike janë në anën e shkodranëve, por jo gjithmonë kjo mjafton për të fituar ndeshjen. Tirana në anën tjetër është në emergjencë pikësh dhe do të luftojë fort të paktën për barazimin.