Tashmë nuk është sekret që Antoine Griezmann nuk do të jetë më pjesë e Atletico Madridit për sezonin e ardhshëm. Por, “Cadena SER” zbulon se sulmuesi francez mund të mos presë deri në verë për largimin nga Atletico Madrid, por mund të largohet para fundit të sezonit.
E ardhmja e Griezmann do të jetë në MLS dhe sipas të gjitha gjasave ekipi i ri do të jetë Orlando City. Duke qenë se merkato në MLS mbyllet më 27 mars, atëherë Griezmann mund të largohet shumë më shpejt nga sa pritej, gjithmonë nëse gjen gjuhën e përbashkët me Atletico Madridin.
I pyetur në konferencën për shtyp pas fitores ndaj Club Brugge në Champions League për të ardhmen e Griezmann, Diego Simeone u shpreh se francezi është i lirë të zgjedhë çfarë të dojë, duke nënkuptuar që nuk do të ketë pengesa nga “Colchoneros” nëse vendos të largohet para fundit të sezonit.
Por, largimi i tij nga Atletico Madrid nuk do të jetë falas. Kontrata e Griezmann me “Colchoneros” skadon në vitin 2027, vlera e tij në treg llogaritet 10-15 milionë euro.