Wednesday, 25. March 2026
Sport

Irani rrezikon Botërorin, FIFA: Po monitorojmë zhvillimet! Spanjë-Argjentinë drejt shtyrjes

GS 02/03/2026 2 Min. Lesezeit

Erëra lufte mbi Botërorin 2026, i pari që organizohet nga tre vende të ndryshme: SHBA-të, Kanadaja dhe Meksika. Operacioni ushtarak i SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit ngre pikëpyetje të mëdha në lidhje me pjesëmarrjen e këtij vendi, që në program ka dy ndeshje të fazës së grupeve në Los Angeles dhe një në Seattle.

Sipas zërave të pakonfirmuar, Mehdi Taj, president i Federatës iraniane, ka deklaruar për televizionin shtetëror: “Është e pamundur ta shohim me besim Kupën e Botës, por janë përgjegjësit sportivë që duhet të vendosin në lidhje me këtë çështje”.

Irani duhet të ndeshet me Belgjikën, Zelandën e Re dhe Egjiptin në Grupin G. Drejtuesit e FIFA-s shpresojnë që kriza të zbutet në kohë për ta lejuar Iranin dhe tifozët e tij të shkojnë në SHBA këtë verë.

“Kemi pasur një takim, – ka delaruar dje sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, në asamblenë vjetore të International Football Association Board (Ifab) në Cardiff. – Është ende herët për të komentuar detajet, por po monitorojmë me vëmendje zhvillimet në të gjitha frontet, në gjithë botën. Kemi shortuar finalet në Washington, ku kanë marrë pjesë të gjitha skuadrat. Objektivi ynë është që Kupa e Botës të zhvillohet e sigurt, me të gjitha skuadrat pjesëmarrëse. Vazhdojmë të komunikojmë, si gjithmonë, me tre qeveritë e vendeve pritëse. Të gjithë do të jenë të sigurt”.

Pas dhunës që shpërheu në Meksikë, ku u vra narkotrafikanti Nemesio Oseguera Cervantes, edhe tema e sigurisë në këtë vend është në vëmendjen e FIFA-s.

Më 27 mars në Doha është programuar të luhet Spanjë-Argjentinë, ‘Finalissima’ mes kampionëve të Europës dhe kampionëve të Botës. Për këtë ndeshje janë shitur tashmë 90 mijë bileta, por mediet spanjolle bëjnë me dije se sfida po shkon drejt shtyrjes. Katari ka pezulluar të gjitha ndeshjet, ndërkohë që edhe ndeshjet e Kupës së Azisë janë anuluar.

Teilen: