Kanë përfunduar pjesët e para në tri takimet e mbrëmjes në Champions League. Në “Santiago Bernabeu”, Real Madrid po kryeson 3-0 ndaj Manchester City, falë “hat-trickut” të Federico Valverde.
Në minutën e 20-të, pas një topi të gjatë të nisur nga këmbët e Thibaut Courtois, ishte Federico Valverde që pasi shmangu Nico O’Reilly, driblon bukur Gigio Donnarumma-n dhe dërgon topin në rrjetë.
Në minutën e 27-të ishte sërish Valverde që gjeti rrjetën dhe dyfishon shifrat, këtë herë pas asistit të Vinicius Junior. Në minutën e 42-të, Valverde kompleton “hat-trickun” e tij, pas asistit të Brahim Diaz dhe një veprimi spektakolar në zonë nga uruguaiani, i cili do ta mbajë mend gjatë ndeshjen e sotme.
Në “Parc des Princes”, pjesa e parë mes PSG-së dhe Chelsea-t është mbyllur 2-1 për kampionin në fuqi. Francezët gjetën golin e avantazjit që në minutën e 10-të. Pas një aksioni të shpejtë dhe krosimit në zonë nga Ousmane Dembele për Joao Neves, ky i fundit ul topin bukur me kokë dhe asiston për Bradley Barcola, i cili shënon një gol tejet të bukur me një goditje të fuqishme brenda zonës. Barazimi i londinezëve do të vinte në minutën e 28-të, ku pas një asisti magjik të Enzo Fernandez, ishte Malo Gusto që dërgoi topin në rrjetë me një goditje të fuqishme brenda zonës, me të djathtën. Në minutën e 41-të, ishte Ousmane Dembele që gjeti rrjetën dhe kalon sërish në avantazh PSG-në, i cili tregoi gjithë klasin e tij, duke “trullosur” mbrojtësit e Chelsea-t dhe e finalizon aksionin më së miri duke dërguar topin në rrjetë.
Në ndeshjen tjetër, Bodo/Glimt po kryeson 2-0 ndaj Sporting Lisbon. Norvegjezët gjetën fillimisht avantazhin pas golit të Sondre Fet nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 32-të, pas një faulli brenda në zonë nga portugezët. Në minutat shtesë, Ole Blomberg dyfishon shifrat për Bodo/Glimt.