Tetë vite pas “divorcit” të bujshëm të Mesut Özil dhe Federatës Gjermane të Futbollit në Gjermani duket se mëritë mes palëve nuk janë shuar ende.
Në dokumentarin e ZDF, “Mesut Özil – zu Gast bei Freunden”, kushtuar fantazistit, i cili tashmë jeton në Turqi, por që me Gjermaninë arriti që të ngjitej në majën e botës duke fituar Botërorin Brazil 2014, spikat deklarata e ish-komisarit teknik të katër herë kampionëve të botës.
“Kurrë nuk kam lexuar letrën e lamtumirës dhe arsyet që kishte shkruar. Së pari ishte shumë e gjatë për mua së dyti në atë kohë isha i zhgënjyer pasi ai duhet që të më komunikonte mua personalisht vendimin e tij përpara se ta bënte publik”, tha Joachim Löw.
Ndërsa për menaxherin e Federatës Gjermane të Futbollit në atë kohë, Oliver Bierhoff, letra e fantazistit kishte të bënte më shumë me një vendim që kishte marrë lojtari për të nisur një jetë të re duke ndërprerë ashpër lidhjet me Gjermaninë.