Futbollisti i Ballkanit, Almir Kryeziu e ka fituar epitetin e më të mirit për xhiron e 24-të në Superligën e Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të hënën ka njoftuar se Kryeziu është shpallur më i mirë dhe ka fituar çmimin “Ylli i Javës”, i cili i ndahet lojtarit më të mirë pas përfundimit të secilës xhiro.
Kryeziu shkëlqeu në fitoren e Ballkanit në derbin kundër Dritës, gjë që është konfirmuar edhe nga Komisioni i Veteranëve të futbollit, i cili ka bërë përzgjedhjen e më të mirit.
Ballkani triumfoi me rezultatin 3:0, ndërsa Kryeziu kontribuoi me një gol dhe një asistim për këtë fitore që e ka ngritur ekipin nga Suhareka në pozitën e parë në tabelë.
Kryeziu është shprehur tejet i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës pasi e mori çmimin, ndërsa shtoi se është i kënaqur me formën e tij dhe me faktin që po mund ta ndihmojë ekipin.
Gjithashtu, Kryeziu falënderoi komisionin për vlerësimin si dhe klubin e Ballkanit për të cilin në këtë sezon ka shënuar 9 gola dhe ka bërë 10 asistime në 20 paraqitje në Superligë.