Tuesday, 17. March 2026
Futboll

Champions League rikthehet me super-sfida vendimtare për çerekfinale

GS 17/03/2026 2 Min. Lesezeit

Liga e Kampionëve rikthehet sonte me katër përballje vendimtare të fazës së së tetës së finales, ku pritet të mësohen skuadrat e para që do të sigurojnë kualifikimin në çerekfinale. Emocione të mëdha, presion maksimal dhe shumë dilema mbeten ende të hapura në disa prej dueleve më interesante të këtij edicioni.

Vëmendja kryesore do të jetë në “Etihad Stadium”, ku Manchester City përballet me Real Madrid. Anglezet ndodhen përballë një misioni tepër të vështirë, pasi janë mposhtur 0:3 në ndeshjen e parë në Madrid. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola do të synojë një përmbysje historike, ndërsa madrilenët, të udhëhequr nga Álvaro Arbeloa, vijnë si favoritë të mëdhenj për kualifikim. Në formë të shkëlqyer mbetet Federico Valverde, ndërsa rikthimi i Kylian Mbappé është një tjetër armë e fortë për spanjollët.

Në Londër, Arsenal pret Bayer Leverkusen pas barazimit 1:1 në takimin e parë. “Topçinjtë”, nën drejtimin e Mikel Arteta, konsiderohen favoritë falë stabilitetit të treguar këtë sezon, por gjermanët mbeten një kundërshtar i rrezikshëm dhe synojnë surprizën.

Një tjetër sfidë e zjarrtë zhvillohet po ashtu në Londër, ku Chelsea përballet me Paris Saint-Germain. Francezët kanë epërsinë e madhe 5:2 nga ndeshja e parë dhe synojnë ta menaxhojnë atë për të siguruar kalimin tutje. Megjithatë, londinezët shpresojnë të reagojnë para tifozëve të tyre, në një duel që mbetet i hapur për shkak të mungesave në të dy kampet.

Mbrëmja nis më herët në Portugali, ku Sporting CP përballet me Bodø/Glimt. Norvegjezët kanë befasuar me fitoren 3:0 në ndeshjen e parë dhe janë shumë pranë një kualifikimi historik, ndërsa portugezët do të kërkojnë një rikthim të madh para publikut vendas.

Tri nga katër ndeshjet e sontme do të nisin nga ora 21:00, ndërsa mbrëmja pritet të sjellë spektakël dhe emocione deri në sekondat e fundit të çdo përballjeje.

Teilen: