Sllovakia vlerësohet favorite përballë Kosovës në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës në futboll.
Por telashet për Sllovakinë po rriten gjithnjë e më shumë në prag të ndeshjes së 26 marsit në Bratislavë.
Sllovakët kanë telashe në kombëtare, e edhe më të mëdha në federatë. Lidhur me kombëtaren, telashet kanë të bëjnë me lëndimin e lojtarëve. Mediumi sllovak “Sport24” ka shkruar të martën që përzgjedhësi Francesco Calzona është në njërën prej periudhave më të vështira prejse mori drejtimin e Sllovakisë.
Pyetja kryesore e sllovakëve është për kapitenin Milan Shkriniar. Mbrojtësi me përvojë i Fenerbahçes nuk ka luajtur që nga 19 shkurti për shkak të një lëndimi. 31-vjeçari së fundi ka nisur me stërvitje individuale, ndërsa ishte në stol në tri ndeshjet e fundit të gjigantit turk.
Mediumi sllovak ka shkruar se lojtari kryesor i mbrojtjes mund të grumbullohet me Kosovën pa minutat e duhur në fushë dhe se aktivizimi i tij do të mund të ishte rrezik i madh.
Lista e Sllovakisë publikohet të enjten. Dhe brenga tjetër e madhe ka të bëjë me Stanislav Lobotkan, mesfushorin me përvojë të Napolit. Ai nuk është aktivizuar në dy ndeshjet e fundit.
Sipas mediave të afërta me Napolin, trajneri Antonio Conte vlerësoi se Lobotka nuk ishte në gjendjen e duhur fizike për të luajtur ndaj Lecces në fundjavë.
Lukash Haraslin, që luan për Sparta Pragën në Çeki, në fundjavë u zëvendësua në minutën e 58-të në ndeshjen ndaj Slovackos, pasi u ankua në një lëndim. Ivan Schranz i Slavia Pragës u zëvendësua që në minutën e 31-të në ndeshjen ndaj Zlinit.
Leo Sauer, që shihet si zëvendësues i Haraslinit, nuk ka luajtur që nga 8 shkurti për shkak të një lëndimi muskulor.
Ndërkohë Tomash Suslov ka luajtur katër ndeshje për Veronan, pas mungesës prej gjashtë muajve për shkak të lëndimit të gjurit.
Robert Bozhenik është mungesë e konfirmuar. Ai ka lëndim në shpatull.
Mediumi sllovak nuk e ka përjashtuar mundësinë që Lobotka e Shkriniari të grumbullohen e të luajnë, për shkak të rëndësisë që ka plejofi për kualifikim në Botëror.
Më e bujshme është situata me të cilën po përballet federata sllovake. Situata financiare vlerësohet shumë e vështirë. Madje ministri i Turizmit dhe Sportit në Sllovaki, Rudolf Huliak, kishte deklaruar se federata rrezikon falimentimin brenda tre muajve.
Por presidenti i Federatës, Jan Kovaçik, që e fitoi edhe një mandat javë më parë, ka mohuar këtë. Ai ishte ankuar se federata nuk ka pranuar fondet që i ka pritur nga shteti.
Ish-presidenti i Federatës, Frantishek Laurinec, ka folur për situatën në federatë.
“Situata aktuale në federatë është shumë e keqe, gati kritike. Do të jetë vështirë të dilet prej saj. Lëvizje pozitive mund të arrihet me kualifikim në Kupën e Botës. Do të sillte të hyra financiare, që do të mund të zgjidhnin telashet aktuale financiare”, ka thënë Laurinec për “Pravda”.
Ai ka shtuar se federata sllovake gjithnjë ka vuajtur për mungesë fondesh.
Në Sllovaki është bërë temë edhe paga e përzgjedhësit Calzona prej 70 mijë eurosh në muaj. Paga e italianit është vlerësuar shumë e lartë. Calzona megjithatë e kualifikoi Sllovakinë në “Euro 2024”. Madje sllovakët e kaluan me sukses grupin, ndërsa në një të tetën e finales u eliminuan vetëm pas kohës shtesë nga Anglia.