Java e 29-të e Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, sjell përballje interesante, ku dy prej tyre priten më më shumë interes. Vëmendja shkon fillimisht tek Elbasani-Egnatia, që hap këtë mbrëmjen e së premtes.
Përveç faktit se përballen dy skuadra që pretendojnë titullin kampion dhe aktualisht janë në të njëjtën kuotë pikësh, nga 50 secila, sfida ndizet edhe më shumë nga ajo çfarë ka prodhuar sfida e fundit mes tyre. Kujtojmë që Egnatia barazonte në fund me dy penallti.
Pas ndeshjes, presidenti i Elbasanit, Kujtim Llupa, akuzoi hapur kolegun e tij tek Egnatia, Agrim Demrozi, se futej në dhomën e arbitrave. Në këtë sens, do të kemi një sfidë në fushë dhe një në tribunën VIP të stadiumit “Elbasan Arena”.
Një ndeshje polemikash do të jetë edhe ajo mes Vllaznisë dhe Dinamos, që luhet në Shkodër ditën e shtunë. Të gjithë e kujtojnë çfarë ndodhi në stadiumin “Loro Boriçi”, po edhe në Tiranë, mes këtyre skuadrave, gjestet e trajnerit Edi Martini ndaj stafit blu dhe tribunës qendrore.
Edhe këtë herë pritet që në fushë të luhet një 90-minutësh i luftuar, por adrenalina me siguri nuk do të mungojë në tribunat e stadiumit të Shkodrës.
Të shtunën luhen edhe dy ndeshje të tjera, Bylis-Flamurtari dhe Teuta-Partizani, ndërsa Tirana-Vora është programuar të zhvillohet ditën e diel në kryeqytet.