Mbrëmja e sotme sjell përballje shumë të forta në fazën e 1/8-ës së finales në Ligën e Kampionëve, ku disa skuadra kërkojnë përmbysje, ndërsa të tjera janë me një këmbë në çerekfinale.
Përballja në “Camp Nou” nis nga rezultati 1-1 i ndeshjes së parë. Barcelona është favorite falë formës së mirë në shtëpi, ku nuk ka humbur në 12 ndeshje, ndërsa Newcastle synon surprizën e madhe. Ndeshje shumë e hapur, por me avantazh të lehtë për Barcelonën.
Bayern është shumë pranë kualifikimit pas fitores 6-1 në ndeshjen e parë. Gjermanët janë favoritë absolutë edhe sonte, pavarësisht disa mungesave. Pritet ndeshje me gola, por kualifikimi duket i mbyllur.
Liverpool duhet të përmbysë humbjen 1-0 nga ndeshja e parë. Anglezët luajnë në “Anfield”, por forma e paqëndrueshme i vendos në presion, derisa Galatasaray vjen me besim, por Liverpool mbetet i rrezikshëm në shtëpi.
Tottenham ka probleme me formën dhe mungesa, kurse Atletico është shumë pranë çerekfinales, ku ka epërsi të madhe 5-2 nga ndeshja e parë dhe është favorit për të fituar edhe në Londër.
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen sonte më 18 mars 2026, me fillim nga ora 21:00, përveç ndeshjes Barcelona vs Newcastle United, që nis nga 18:45.