Wednesday, 18. March 2026
Sport

Pogačar: Triumfi në Milano-Sanremo është një sfidë e madhe!

GS 18/03/2026 2 Min. Lesezeit

Skuadra “UAE Team Emirates-XRG” zyrtarizoi sot ekipin për klasiken e parë të këtij sezoni, e cila do të jetë Milano-Sanremo dhe që do të mbahet të shtunën më 21 mars.

Këtë edicion të gjithë pjesëtarët e këtij ekipi do të jenë në shërbim të Tadej Pogačar, i cili do të jetë gati për sulmin e madhe për të marrë edhe atë kurorë, e cila i mungon koleksionit të tij.

Në këtë mision delikat çiklisti slloven nuk do të jetë i vetëm pasi do të ketë mbështetjen e Isaac del Toro, i cili vjen pas suksesit në garat Tirreno-Adriatico dhe UAE Tour. Për të kompletuar formacionin trajneri i skuadrës ka përzgjedhur edhe Jan Christen, Felix Großschartner, Brandon McNulty, Domen Novak dhe Florian Vermeersch.

Tadej Pogačar mori pjesë për herë të parë në Milano-Sanremo në 2020-ën kur kaloi finishin i 12-ti. Që prej atij viti dy herë kampioni i botës ka synuar të përmirësohet në këtë klasike duke koleksionuar një vend të pestë, një të katërt dhe dy vende të treta. Palmaresit të sllovenit i mungon vetëm triumfi në Milano-Sanremo dhe Paris-Roubaix. “Nuk është një sekret për askënd që dua të triumfoj në këtë garë. Është një garë e cila nuk më përshtatet vetëm mua por edhe shumë kampionëve të tjerë. Për mua triumfi në këtë garë është një sfidë e madhe!”, tha 27-vjeçari.

Teilen: