Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Kreshnik Hajrizi e ka fituar epitetin e futbollistit më të mirë për xhiron e fundit në Superligën e Zvicrës.
Hajrizi, të mërkurën është shpallur lojtari më i mirë i xhiros së 30-të, me votat e tifozëve.
Në fakt, Hajrizi pati paraqitje fantastike në fitoren e Sionit kundër Zurichut me rezultatin 2:1.
Hajrizi shënoi golin e fitores në këtë ndeshje dhe ishte më i dalluari në fushë te Sioni, ekip për të cilin ka regjistruar 31 paraqitje në të gjitha garat deri më tani.
26-vjeçari pritet të grumbullohet me Kosovën për ndeshjen me Sllovakinë, ndërsa deri më tani ka 5 paraqitje me “Dardanët”.
Këtë sezon, Hajrizi ka realizuar 2 gola dhe ka bërë po aq asistime me fanellën e Sionit.