Thursday, 19. March 2026
Sport

Te Bajerni debutoi 16-vjeçari Paviç, normativa për minorenët dhe “rasti Yamal”

GS 19/03/2026 2 Min. Lesezeit

Ndeshja e parë me të rriturit është një mbrëmje për t’u mbajtur mend: 16 vjeç e 58 ditë. Ylli i U-17 të bavarezëve bëhet i pari lojtar i vitlindjes 2010 që luan në kompeticionin më të rëndësishëm europian të klubeve.

Bajerni dhe trajneri Kompany nuk kanë frikë të aktivizojnë të rinjtë. Deri tani janë 7 ata që kanë debutuar. Sigurisht, 10 gola në 180 minuta ndaj Atalantës u kanë dhënë siguri bavarezëve, të cilët mund të limitonin çdo rrezik nga mungesa e eksperiencës së Filip Paviç, që nuk do ta harrojë kurrë debutimin në “Allianz Arena”, në një mbrëmje europiane.

Mbrojtësi me origjinë kroate, por me nënshtesësi gjermane, ka lindur në vitin 2010, kur Harry Kane shfaqej në skuadrën e parë të Tottenham. Paviç bëhet kështu i pari lojtar 2010 që argëtohet në fushë në Champions League. Është i treti më i ri që aktivizohet në kompeticionin europian, pas Max Dowman (15 vjeç, 10 muaj e 4 ditë) dhe Youssoufa Moukoko (16 vjeç e 18 ditë). Ka kaluar Yamal për pak ditë: katalanasi ka debutuar 16 vjeç, 2 muaj e 6 ditë.

Sipas ligjit për mbrojtjen e punës të të rinjve, në Gjermani djemtë nën 18 vjeç nuk mund të punojnë pas orës 20:00. Një rast që na kthen 2 vjet prapa, në Euro 2024 që luhej në Gjermani, kur për të pasur në fushë Lamine Yamal – atëherë 16 vjeç – Spanja kishte nevojë për një leje speciale pune.

Paviç u fut në fushë në minutën e 72-të, në vend të Stanisiç, pra rreth orës 22.30. Por gjithçka është në rregull, e ligjshme. Sepse ka hyrë në fuqi një përjashtim specifik, që lejon lojtarët nën 18 vjeç për të marrë pjesë në eventet sportive deri në orën 23:00. Dhe në rastin kur ndeshjet zgjatin në shtesa e penallti, lojtari duhet të mbrohet me një leje speciale.

Dhe diçka e fundit: pas këtij “turni” pune, lojtarit të ri duhet t’i garantohet një periudhë kohe e lirë e pandërprerë prej të paktën 14 orësh.

Teilen: