Thursday, 19. March 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Elbasani, me disa bonuse në favor kundër Egnatias  

GS 19/03/2026 2 Min. Lesezeit

Elbasani-Egnatia hap javën e 29-të të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH. Një sfidë e fortë rivalësh për titullin kampion, por që në këtë 90-minutësh vijnë në kushte të ndryshme, me verdheblutë të favorizuar dhe jo pak.

Përveçse luan në fushën e vet, me tifozët në krah, si dhe ka dy pikë avantazh ndaj Egnatias, skuadra e trajnerit Ivan Gvozdenoviç ka edhe bonuse të tjera në anën e saj. Kampionët në fuqi vijnë pa Xhemajlin të skualifikuar nga kartoni i kuq ndaj Vllaznisë dhe pa Aleksin të dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

Por mbi të gjitha rrogozhinasit nuk do të kenë asnjë përfaqësues të stafit teknik në stol. Trajneri Edlir Tetova u dënua me 6 muaj nga Disiplina, ndërsa gjithë ndihmësit e tij u pezulluan nga 5 ndeshje.

Një situatë e pazakontë kjo për Egnatian dhe për futbollin shqiptar në tërësi.

Edhe elbasanasit kanë mungesa, ku më e rëndësishmja është ajo e portierit Janaçek, i dëmtuar rëndë në Vlorë. Megjithatë, nisen favoritë për fitore në këtë sfidë, duke shpresuar edhe në ndonjë ndalesë të Vllaznisë kryesuese nga Dinamo.

Teilen: