Numërimi mbrapsht fillon. Më 26 mars, Kosova do të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026. Ndeshja luhet në Stadiumin Nacional në Bratislavë.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka punuar me intensitet të plotë për të përgatitur ndeshjen.
“Unë dhe ndihmëstrajnerët e mi kemi udhëtuar shumë gjatë muajve të fundit, duke vëzhguar lojtarët tanë”, tha 59-vjeçari që do të udhëtojë për në Prishtinë këtë javë për të finalizuar përgatitjet për ndeshjen ndaj Sllovakisë.
“Kur arrin deri këtu, natyrshëm dëshiron të bësh hapin tjetër. Javën tjetër do të përballemi me Sllovakinë në udhëtim. Nëse kualifikohemi më tej, do të kemi një ndeshje në shtëpi kundër fituesit të duelit Turqi – Rumani”, ka thënë Foda për mediumin austriak “Kronen Zeitung” të enjten.
Kosova është kualifikuar në mënyrë sensacionale për fazën e plejofit kualifikues për Botëror.
“Sllovakët janë jashtëzakonisht të fortë në shtëpi, gjë që tregoi edhe fitorja e tyre kundër Gjermanisë. Por tani kemi më shumë lojtarë cilësorë në skuadër. Opsionet, mundësitë dhe cilësia janë rritur me ardhjen e Fisnik Asllanit, Leon Avdullahut dhe Albioan Hajdarit të Hoffenheimit, të cilët vendosën të luajnë për Kosovën. Ne kemi fituar tashmë jashtë vendit kundër Suedisë, Sllovenisë dhe Islandës. Edhe ato ekipe ishin shumë të forta, veçanërisht Suedia. Kështu që kemi shumë besim. Do të thosha gjasat janë 50 me 50”, theksoi Foda.
Foda shpreson për një biletë historike për Kupën e Botës 2026 me Kosovën. 59-vjeçari flet po ashtu për euforinë e madhe të futbollit në Kosovë.
“Rrugës për në redaksinë tuaj, dy kosovarë që jetojnë në Graz më ndalën në rrugë. Më uruan suksese për ndeshjen e plejofit. Kjo tregon se të gjithë janë në ankth. Është e jashtëzakonshme sa shumë tifozë udhëtojnë gjithmonë me ne. Ndihemi sikur jemi në shtëpi gjithmonë. Në Suedi gjysma e stadiumit ishte i mbushur me kosovarë. Kjo i jep ekipit energji të jashtëzakonshme. Askush nuk e priste që ne të arrinim në plejof në një grup me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë. Euforia në vend është e jashtëzakonshme, por ekipi e ka merituar. Të gjithë besojnë te ne”, ka theksuar Foda.
I pyetur nëse kanë bërë plane rreth udhëtimit për në SHBA, Foda u përgjigj se një gjë e tillë mund të planifikohet vetëm pas 31 marsit.
“Jo, kjo nuk mund të ndodhë deri pas ndeshjeve kualifikuese. E vetmja gjë e sigurt është se kampi ynë do të vendoset midis Los Angelesit dhe San Franciscos. Nëse vërtet shkojmë në Kupën e Botës, atëherë do të doja të flija në një hotel për të rinj”, ka thënë Foda.
Foda ka komentuar edhe për mundësitë e Austrisë në Botëror. Ai ka thënë se Austria mund ta kalojë grupin e saj. Austria është në grup me Argjentinën, Algjerinë dhe Jordaninë.
Pas Botërorit, Austria do të përballet edhe me Kosovën në Vjenë më 27 shtator, në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve.
Foda e drejtoi Austrinë në 48 ndeshje, nga nëntori i vitit 2017 deri në mars të vitit 2022, duke arritur prej 27 fitoreve, gjashtë barazime dhe 15 humbje.
Arritja më e madhe e Austrisë me Fodan ishte kalimi në 16 më të mirat e Evropianit 2021. Austria u eliminua pas kohës shtesë nga Italia në atë fazë.
Foda edhe Kosovën e ka drejtuar në mënyrën më të mirë të mundshme deri më tani.
Nën drejtimin e tij, Kosova siguroi paraqitjen për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve, kurse më 26 mars do të luajë kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës.