Mesfushori shqiptar Granit Xhaka, ka ndarë një rrëfim emocional për të kaluarën e tij, duke folur për sakrificat e mëdha të prindërve dhe vështirësitë e fëmijërisë që, sipas tij, kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e karakterit të tij si futbollist dhe si njeri.
Në një intervistë të gjatë të publikuar nga faqja zyrtare e Ligës Premier, Xhaka u shpreh se përvojat e hershme e kanë ndihmuar të zhvillojë ndjenjën e përgjegjësisë dhe lidershipit që në moshë shumë të re.
Gjatë intervistës, mesfushori rrëfeu momentet e vështira të fëmijërisë, duke treguar për jetën e përditshme dhe angazhimin e prindërve të tij për të siguruar kushte më të mira për familjen.
Ai nuk i fshehu emocionet, duke shpërthyer në lot teksa kujtonte sakrificat që kanë bërë prindërit e tij.
“Mendoj se kam qenë lider qëkur isha katërvjeçar, për shkak se prindërit e mi kanë punuar gjatë ditës dhe kanë bërë punë shtesë, vetëm që ne t’i kishim kushtet e duhura për të qenë ata që jemi sot. Vëllau im është një vjet më i vjetër se unë”.
“Kështu që ai ishte pesëvjeçar, unë isha katër, por isha përgjegjësi i shtëpisë, si katërvjeçar. Unë kisha përgjegjësi për çelësin. Kishim ditë kur ishim në shtëpi të vetmuar për 18 orë. Kështu që vajzat e mia, gjashtëvjeçare dhe katërvjeçare, nuk mund t’i shoh të qëndrojnë të vetme për 18 orë në shtëpi”.
“Por kështu ishim unë dhe vëllau im. Nëna ime e fillonte punën në orën 4 të mëngjesit, kthehej në shtëpi në orën 3 pasdite. Ajo e përgatiste ushqimin, kthehej dhe më pas përgatiste sërish ushqim për ne”.
Duke reflektuar mbi të kaluarën, Xhaka theksoi se përvoja e ka ndihmuar të ndërtojë një mentalitet të fortë dhe të qëndrueshëm.
“Po, mendoj kështu sepse ne asnjëherë nuk e harrojmë prej nga vijmë. Unë gjithmonë them kështu sepse vetë jam baba, dhe siç e thashë, nuk mund ta imagjinoj t’i lë fëmijët që po rriten për 18 orë në ditë të vetmuar, e kuptoni? Nëse besoni në diçka dhe punoni fort, mendoj se mund ta arrini”, deklaroi Xhaka.
Aktualisht, Xhaka numëron 26 paraqitje këtë edicion në Ligën Premier, 24 prej tyre si titullar, ku ka arritur të shënojë një gol teksa ka edhe pesë asistime.