Saturday, 21. March 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Nuk ka fitues në “Elbasan Arena”

GS 20/03/2026 1 Min. Lesezeit

Mbyllet në barazim të bardhë 0-0 supersfida Elbasani-Egnatia, që çeli javën e 29-të të kampionatit Abissnet Superiore në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar.

Mungon vetëm goli në “Elbasan Arena”, pasi ndeshja mes dy skuadrave që pretendojnë titullin këtë sezon ishte e bukur dhe e luftuar.

Boje ndëshkohet me karton të kuq pas 5 minutash lojë, duke lënë Elbasanin në inferioritet numerik që në startin e takimit. Gjithsesi vendasit nuk demoralizohen, madje i afrohen golit me Lajthinë, por gjuajtja e tij ndalet nga shtylla.

Pa kaluar 30 minuta lojë, rikthehet baraspesha në fushë, pasi Ruçi ndëshkohet me karton të kuq, duke lënë Egnatian me 10 lojtarë.

Ndeshja është e bukur dhe të dyja skuadrat flirtojnë me golin. Fillimisht Lajthia për verdheblutë dhe më pas Fernando për miqtë.

Pjesa e dytë është më e vakët. Elbasani i afrohet golit të avantazhit në minutat e fundit, por Dajsinani ruan të paprekur portën e Egnatias.

Mbyllet në barazim 0-0 ndeshja në “Elbasan Arena”, me dy skuadrat që ndajnë nga një pikë. Elbasani ngjitet përkohësisht në krye të renditjes me 53 pikë, ndërsa Egnatia shkon në kuotën e 51 pikëve.

Teilen: