Fitorja e fuqishme e luftëtarit kosovar Ermal Krasniqi në kafaz nuk ishte vetëm rezultat i stërvitjes dhe disiplinës ajo nisi shumë më herët, me një ndalesë të veçantë, të mbushur me emocione, traditë dhe përgjegjësi, shkruan Gazeta Projekti
.
Pak para nisjes në meç, Ermali ndaloi tek daja i tij, Besnik Avdija një ish-ushtar i UÇK-së, për të marrë bekimin dhe fjalët që peshojnë më shumë se çdo strategji.

“Daj, po nisem… erdha me të taku para ndeshjes,” tha Ermali.
“Ani i miri dajës, t’priftë e mbara,” iu përgjigj ai.
Por Ermali nuk ishte aty vetëm për një përshëndetje.
“Jo daj… erdha t’i marr këshillat e tua para ndeshjes…”
Në atë moment, Besnik Avdija u mendua për pak çaste, pastaj u ngrit në heshtje dhe shkoi drejt dhomës. Aty mori Flamurin Kombëtar flamurin e tij, të cilin e kishte ruajtur me vite si një kujtim të shenjtë dhe simbol sakrifice.

U kthye ngadalë, me një seriozitet që mbushte dhomën. Pa thënë asnjë fjalë për disa sekonda, ia vendosi flamurin mbi supe nipit të tij dhe e shikoi drejt në sy.
“Kjo është porosia ime… Kujdes, i miri dajës, se për këtë flamur është derdhur shumë gjak. Të lutem mos na e merr fytyrën…”
Fjalët e tij ranë rëndë, si një amanet brezash.
Në atë çast, Ermal Krasniqi nuk ishte më vetëm një sportist. Ai mbante mbi supe historinë, sakrificën dhe besimin e një familjeje dhe të një populli të tërë.
“Jo daj… do ju bëj krenar të gjithëve!” – u përgjigj ai me vendosmëri.
Dhe kur hyri në kafaz në Long Island, ai nuk luftoi vetëm për fitore. Ai luftoi për flamurin që mbante mbi supe, për fjalët që i ishin besuar dhe për nderin që nuk duhej zhgënjyer.
Fitorja e tij u bë më shumë se një sukses sportiv – u bë një moment krenarie kombëtare.
Një histori që dëshmon se ndonjëherë, fuqia më e madhe nuk vjen nga grushtet, por nga rrënjët dhe amanetet që mbajmë me vete.