Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen e Kombëtares së Kosovës që e luan më 31 mars në Prishtinë.
Javën tjetër, Kosova do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” një ndeshje këtë muaj, e cila mund të jetë finale e “play-offit” për kualifikim në Botëror apo miqësore.
Gjithçka do të varet nga ndeshja me Sllovakinë, të cilën Kosova e luan të enjten në udhëtim në kuadër të gjysmëfinales së “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Në rast se Kosova fiton, do të avancojë në finale dhe pret fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë.
Nëse Kosova pëson humbje, atëherë do të përballet me humbësin e duelit Turqi – Rumani në një përballje që do të ketë karakter miqësor.
Çmimet e biletave për këtë përballje të datës 31 mars nga ora 20:45, janë 10 euro në Veri e Jug, 20 euro në Lindje, 20 në Perëdim dhe 100 euro VIP.