Riccardo Calafiori deklaroi se është në gjendje të mirë fizike dhe do të vlerësohet në fushë për ndeshjen e “play off”-it të Botërorit ndaj Irlandës së Veriut. “Jam mirë, çelësi është të jetosh të tashmen dhe të shijosh çdo moment”, – tha ai, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe fokusit te ndeshja e radhës.
Mbrojtësi u shpreh se skuadra duhet të përgatitet si për çdo takim, duke qëndruar e kujdesshme në goditjet standarde, ku kundërshtari mund të jetë i rrezikshëm. Ai nënvizoi se futbolli “nuk është një shkencë ekzakte, por gjithçka varet më shumë nga vetja”. Për fazën mbrojtëse shtoi se gabimet janë përgjegjësi kolektive.
Calafiori vlerësoi Gattuson: “Muajt e fundit kam folur më shumë me të sesa me nënën time, më ka qëndruar pranë edhe kur isha jashtë fushave”. Ai përmendi edhe një darkë në Londër me Buffon e Bonucci. Sipas tij, diferenca e Serie A me Premier League është intensiteti i lartë. Për sfidën rrezatoi optimizëm: “Duam të njëjtën gjë, fitoren dhe kualifikimin. Të mendosh pozitivisht të çon te rezultatet e duhura”.