Federata Çeke e Futbollit është përfshirë në një skandal të jashtëzakonshëm për manipulim ndeshjesh, i cili ka tronditur skenën sportive para përballjes vendimtare të kombëtares së Çekisë ndaj Irlandës për kualifikimet e Kupës së Botës.
Bëhet fjalë për një hetim trevjeçar që përfshin katër nivelet e para të ligës çek dhe garat e të rinjve. Operacioni i policisë, i koordinuar me Europolin, Interpolin dhe departamentin kundër manipulimeve të ndeshjeve të UEFA, ka sjellë bastisje në të gjithë vendin, me fokus të veçantë në rajonin Moravian.
Mediat vendase raportojnë se mbi 40 persona, lojtarë, gjyqtarë, zyrtarë klubi dhe madje edhe një kryetar bashkie, janë nën hetim.
Presidenti i FACR, David Trunda, e ka quajtur operacionin si “më i madhi në historinë e futbollit çek”:
“Operacioni ka nisur që në orën 6 të mëngjesit dhe është i koordinuar me Europolin, Interpolin dhe departamentin e UEFA-s kundër manipulimit të ndeshjeve. Fokusi kryesor ishte Moravia, duke përfshirë dhjetëra persona dhe 99 përqind të zonës.”
Ai shtoi se Komiteti i Etikës do të fillojë procedurat disiplinore ndaj të gjithë të përfshirëve, duke përfshirë lojtarët, gjyqtarët, zyrtarët dhe klubet nga liga e parë deri te e katërta, si dhe kategori të rinjsh.
Ky skandal ka tronditur futbollin çek, duke e vënë në qendër të mediave ndërkombëtare dhe duke rrezikuar përgatitjet e kombëtares për sfidat vendimtare ndërkombëtare.