Thursday, 26. March 2026
Sport

Konfirmohet mungesa e Skriniarit te sllovakët

GS 26/03/2026 1 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Sllovakisë do të jetë pa kapitenin Milan Skriniar në ndeshjen kundër Kosovës.

Mbrojtësi i Fenerbahçes nuk është përfshirë në listën zyrtare të Sllovakisë, të cilën e ka dorëzuar selektori Francesco Calzona për duelin me Kosovën.

Përkundër që Skriniar ishte ftuar për këtë përballje dhe ishte pjesë e grumbullimit, ai nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi që e pësoi në muajin shkurt.

Kështu që, Sllovakia do të jetë pa njërin prej lojtarëve kryesor të ekipit, i cili rezultoi se nuk është gati për t’u aktivizuar ndaj Kosovës.

Për dallim prej Skriniarit, te Sllovakia në listën përfundimtare është përfshirë Stanislav Lobotka, i cili javën e shkuar është kthyer nga lëndimi.

Mbetet të shihet nëse Lobokta do të jetë në gjendje të luajë gjatë tërë ndeshjes apo do të aktivizohet për vetëm një pjesë kundër “Dardanëve”.

Dueli gjysmëfinal i “play-offit” për kualifikim në Botërorin e këtij viti ndërmjet Sllovakisë dhe Kosovës, luhet sot nga ora 20:45 në Bratislavë.

Teilen: