Futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë janë plotësisht gati për duelin me Poloninë, të cilin duan ta fitojnë për t’iu afruar edhe më shumë kualifikimit në Kupën e Botës.
Përballja Poloni – Shqipëri, që i takon gjysmëfinales së “play-offit”, luhet sot nga ora 20:45 në Varshavë.
Te Shqipëria e kanë parasysh se përballë kanë një kundërshtarë të fortë, por janë të vendosur për ta kaluar këtë pengesë dhe të paraqiten në finalen e “play-offit”.
Ndeshja pritet të jetë e vështirë për Shqipërinë, duke pasur parasysh se Polonia luan në shtëpi, ka përkrahjen dhe gjithashtu kërkon një mundësi për të qenë pjesë e Botërorit të këtij viti.
Në fakt, Shqipëria e vlerëson ndeshjen me Poloninë si njërën prej dueleve më të rëndësishme dhe për këtë arsye janë maksimalisht të fokusuar për të dalë fitues nga stadiumi në Varshavë.
Fituesi i kësaj ndeshjeje, do të kualifikohet në finalen e “play-offit”, ku e pret përballje me fituesin e duelit tjetër ndërmjet Ukrainës dhe Suedisë, që luhet në Spanjë.
Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse në dy Evropiane, por për Shqipërinë është hera e parë që paraqitet në “play-offin” kualifikues për Botëror.