Benfika është dënuar nga UEFA me mbylljen e pjesshme të stadiumit “Da Luz”, për shkak të sulmeve raciste ndaj Vinicius gjatë ndeshjes kundër Real Madrid në Champions League.
Ky vendim në fakt do të qëndrojë pezull për një vit dhe dënimi do të jetë efektiv, nëse gjatë kësaj periudhe do të ketë përsëri episode diskriminuese të së njëjtës natyrë nga ana e tifozëve portugezë.
Për të njëjtat sulme raciste UEFA i ka vendosur një gjobë klubit portugez, në vlerën 40.000 euro. Po ashtu, ka një gjobë prej 25.000 eurosh për hedhjen e objekteve në fushë dhe një tjetër prej 8.000 eurosh për përdorimin e lazerave drejt fushës së lojës.
Episodet kanë ndodhur më 17 shkurt, kur goli i Vinicius u shoqërua me reagime të natyrës raciste nga publiku portugez. Braziliani akuzoi edhe sulmuesin Gianluca Prestianni për fyerje raciste. Argjentinasi u pezullua për ndeshjen e kthimit, ndërkohë që nuk dihet çfarë vendimi ka marrë UEFA për hetimin që ka bërë në lidhje me këtë çështje.