Thursday, 26. March 2026
Sport

Ylli triumfon në Ligën Unike

GS 26/03/2026 2 Min. Lesezeit

Golden Eagle Ylli është fitues i edicionit të pestë të Ligës Unike në basketboll. Skuadra suharekase të enjten mbrëma fitoi përballë Pejës me rezultatin 80:74.

Ndeshja u zhvillua në palestrën “Feti Borova” në Tiranë.

Ylli e fiton trofeun e kësaj gare për herë të dytë. E kishte fituar edhe edicionin inaugurues të Ligës Unike në sezonin 2020/21.

Edicionin e dytë 2021/22 e kishte fituar Peja. Trepça fitoi në edicionin 2023/24, kurse Vëllaznimi ishte fitues i edicionit të kaluar.

Ndeshja për vend të tretë ndërmjet Vëllaznimit dhe Besëlidhjes nuk u zhvillua. Skuadra nga Shqipëria e përfundoi garën në vendin e tretë.

Scott Bamforth u shpall lojtari më i vlefshëm i finales.

Bamforth i kishte 22 pikë, ndërsa kontribuoi edhe me 22 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.

Kontribut në fitore dha edhe Tyreek Smith. Smith e mbylli ndeshjen me dyshifror të dyfishtë prej 13 pikëve, 12 kërcimeve.

Ai i shtoi edhe dy asistime. Erjon Kastrati i kishte 15 pikë, ndërsa Donatas Sabeckis ndihmoi me 11 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime.

Statistikat më të mira te Peja i kishte Cecil Williams, me 17 pikë, pesë kërcime e tri asistime.

Dequian Bracey i shënoi 16 pikë, tetë asistime e një kërcim. Por, kontributi i tyre nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen.

Diferencën e pikëve, Ylli e krijoi që në çerekun e parë. Më pas e mbajti epërsinë dhe nuk lejoi befasi.

Periudha e parë u mbyll 27:21 në të mirë të suharekasve, derisa me një pikë dallim çerekun e dytë, e fitoi Peja, 20:19. Në periudhën e tretë, Golden Eagle Ylli hyri me pesë pikë epërsi, 46:41, kurse e fitoi këtë dhjetëminutësh 14:13. Çereku i fundit u mbyll baras, 20:20, dhe fitorja me gjashtë pikë dallim i takoi Yllit.

Në finale, Golden Eagle Ylli arriti pasi e eliminoi në gjysmëfinale Besëlidhjen e elitës së basketbollit shqiptar. Ylli fitoi ndaj Besëlidhjes 76:63.

Ndërkohë, Peja fitoi bindshëm ndaj Vëllaznimit të Gjakovës, 82:67.

Ky edicion i Ligës Unike ishte goxha i zbehtë, pasi u zhvillua në hije të garës shumë interesante të Superligës së Kosovës.

Teilen: