Friday, 27. March 2026
Sport

Mbyllet një cikël për mbrojtjen kuqezi, revolucioni në prapavijë është i pashmangshëm

GS 27/03/2026 2 Min. Lesezeit

Mosha “shpëton” vetëm Mitajn dhe Ismajlin për eliminatoret e ardhshme të Botërorit, duke pritur rilindjen e Marash Kumbullës

“Për disa nga ne ishte hera e fundit që shpresonim për Botërorin”, – tha Berat Gjimshiti pas humbjes në Poloni, që i dha fund ëndrrës kuqezi për të shkuar në Kupën e Botës.

Kapiteni i Shqipërisë, 33 vjeç, kishte parasysh veten dhe disa të tjerë, që mosha nuk i lejon më të shpresojnë për të provuar shijen e Botërorit për herë të parë në karrierë.

Kush janë të tjerët, përveç Gjimshitit? Pothuajse e gjithë mbrojtja, që duket se po mbyll një cikël. Kombëtarja duhet të gjejë sa më parë një mbrojtës të djathtë, pasi Elseid Hysaj është 32 vjeç dhe Ivan Balliu 34 vjeç. Të dy në metrat e fundit të karrierës.

Arlind Ajeti dhe Naser Aliji janë gjithashtu në moshë të madhe, 32 vjeç. Edhe për ata nuk ka shpresa për Botërorin e ardhshëm pas 4 vitesh.

Nga reparti i prapavijës, i sigurt për të ardhmen sa u takon titullarëve është Mario Mitaj, 22 vjeç. Ardian Ismajli është 29 vjeç dhe mund të rezistojë për eliminatoret e ardhshme të Europianit dhe Botërorit, duke qenë një nga pikat kyçe falë eksperiencës, me shpresën që nuk do të ketë probleme fizike.

Një lojtar i vlefshëm për mbrojtjen e Kombëtares mund të jetë Marash Kumbulla, i cili ka munguar periudhën e fundit për shkak të dëmtimeve që ka pasur. Në këtë moment kuqezinjtë kanë nevojë për një lojtar si Kumbulla dhe shpresojmë që ai të kthehet sa më parë në gjendjen optimale.

Revolucioni kuqezi në prapavijë është i pashmangshëm, e dikton mosha e shumë lojtarëve. Ndoshta do të fillojë që në ndeshjen e 31 marsit ndaj Ukrainës, që tani mund të konsiderohet një miqësore.         

Teilen: