Kombëtarja U21 e Kosovës është plotësisht gati për ndeshjen e rëndësishme që e luan në Prishtinë kundër Rumanisë.
Kjo përballje që luhet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 19:00, i takon kualifikimeve për Kampionatin Evropian që mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri dhe Serbi.
Hyrja për ta përcjellë këtë ndeshje nga afër është falas, ndërsa te Kosova U21 kanë kërkuar përkrahjen e shikuesve për t’I mposhtur rumunët.
Kjo ndeshje me Rumaninë në shtëpi dhe ajo e datës 31 mars ndaj Spanjës në udhëtim, përcaktojnë fatin e Shpresave të Kosovës në këtë cikël kualifikues.
Spanja është e para në grup me 15 pikë, dy më shumë se Finlanda që renditet e dyta kurse Kosova me tetë pikë të tubuara zë vendin e tretë.
Rumania është e katërta me shtatë pikë, duke lënë pas vetes Qipron që është i parafundit me tri pikë dhe San Marinon që pa asnjë pikë renditet në pozitën e fundit.
Te Kosova U21, që përgatitjet i nisi në fillim të kësaj jave në Hajvali, optimizmi është i madh për duelin kundër Rumanisë, andaj presin përkrahje të fuqishme nga tribunat për të regjistruar fitoren e tretë në grup.
Në pesë ndeshje të luajtura deri më tani në këtë cikël kualifikues, Kosova ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje.