Një ditë pas humbjes nga Polonia në Varshavë, Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore, në prag të ndeshjes me Ukrainën.
Stërvitja e paradites së premten u mbajt në Varshavë, përpara udhëtimit në Spanjë, ku në qytetin e Valencias do të jetë përballja ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë, që konsiderohet miqësore.
Si Shqipëria ashtu edhe Ukraina, u mposhtën në gjysmëfinalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës, të enjten mbrëma.
Shqipëria pësoi në udhëtim 2:1 nga Polonia, ndërsa Ukraina u mposht 3:1 nga Suedia në Valencia.
Selektori i Shqipërisë, Sylvinho stërvitjen para nisjes për të Valencia, e ka ndarë në dy pjesë, ku lojtarët që luajtën ndaj Polonisë u fokusuan te rikuperimi dhe ushtrimet në palestër kurse ata që nuk luajtën fare, zhvilluan seancë të plotë stërvitore.
Ndeshja Ukrainë – Shqipëri, do të luhet të martën prej orës 20:45.