Kombëtarja e Kosovës është në prag të një arritjeje historike, kualifikimit për herë të parë në Kupën e Botës 2026, një sukses që tashmë po përshkruhet si një “përrallë futbolli” nga prestigjiozja britanike, The Guardian.
Pas një rrugëtimi mbresëlënës në eliminatore, “Dardanët” siguron finalen e play-off-it pas një fitore dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë në transfertë. Në atë ndeshje spektakolare, Kosova arriti të rikthehej dy herë në rezultat, duke shënuar një triumf historik që e vendosi skuadrën vetëm një hap larg debutimit në një turne madhor ndërkombëtar.
Tani, gjithçka do të vendoset në një përballje të vetme kundër Turqisë në Prishtinë. Fituesi i kësaj sfide do të sigurojë një vend në Botërorin e vitit 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
The Guardian thekson se rrugëtimi i Kosovës ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh se shteti u pranua në FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016. Brenda pak më shumë se një dekade, ekipi ka kaluar nga debutimi në arenën ndërkombëtare në prag të një turneu madhor, duke treguar se një komb i ri mund të shkëlqejë përmes futbollit. Përzgjedhësi Franco Foda dhe lojtarët kanë bërë thirrje për qetësi dhe fokus para ndeshjes vendimtare, duke theksuar rëndësinë e kontrollit emocional për të arritur suksesin.
Entuziazmi i tifozëve është i jashtëzakonshëm dhe interesimi për këtë sfidë është aq i madh, sa stadiumi i Prishtinës nuk do të mjaftonte për të gjithë të interesuarit. Një kualifikim i mundshëm nuk do të ishte thjesht një sukses sportiv, por edhe një simbol i madh për shtetin më të ri në Evropë. Ai do të tregonte jo vetëm rritjen dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë, por edhe unitetin dhe krenarinë e një kombi që ka kaluar përmes sfidash të mëdha për të arritur deri këtu./Telegrafi/
https://www.theguardian.com/football/2026/mar/27/kosovo-world-cup-qualification-fairytale-playoff
