Fitorja e mbrëmshme e Kosovës në Bratislavë ndaj Sllovakisë, i entuziazmoi të gjithë.
Triumfi rriti dukshëm edhe kërkesat e tifozëve për të qenë të martën në stadiumin Fadil Vokrri, ku luhet finalja kundër Turqisë.
Zyrtarisht, të gjitha biletat janë shitur.
Mirëpo, shumë nga ata që siguruan biletat e lojës, kanë nisur që t’i shesin ato në tregun e zi.
Çmimet janë shumëfish më të larta.
Dikush, tri bileta për tribunën e Jugut, po i shet për çmimin e 600 eurove. Në çmimoren e FFK-së, kjo biletë kushte vetëm 10 euro.
Ndërkaq, dikush tjetër një bilete në Perëndim ia ka vendosur çmimin prej 500 eurove.
Vetëm në Facebook janë publikuar dhjetëra njoftime të tilla për shitje të biletave.
Këto raste, avokati Florim Shefqeti vlerëson se nuk duhet të kalojnë pa u hetuar nga organet e rendit.
“Normalisht, kjo do të duhej të hetohej nga ana e prokurorisë për të parë nëse ka këtu ndonjë keqpërdorim dhe mashtrim në raport me biletat të cilat tanimë i kemi parë edhe në rrjetet sociale që çmimet e tyre janë të rritura jashtëzakonisht shumë.Si rrjedhojë, mekanizmi parandalues përveç hetimit do të duhej të ishte edhe kontrolli i mënyrës së lëshimit dhe shitjes së tyre”, thotë Folrim Shefqeti-avokat.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës nuk është përgjigjur nëse kanë filluar ndonjë hetim për shitjen e biletave në tregun e zi.
Njohësi i futbollit, Ramiz Shala, thotë se në ndeshjet kur interesimi është më i madh, duhet qe vet Federata t’i ndërmarr disa masa.
“Jo kufizim po të duhet të jetë e përcaktuar në cilat kushte mundesh me i marr t’i si individ pesë bileta. Nëse ai numër, se janë të verifikueshëm, nëse me numrin tim personal i kam marr në zonën A1 pesë bileta, numri personal është i jemi. Dihet se ato bileta shihen në Facebook me automatizëm Federata mundet me i anulu”, shprehet Shala.
Televizioni është edhe në pritje të disa përgjigjeve nga FFK-ja në lidhje me këtë temë.