Sunday, 29. March 2026
Futboll

Trajneri turk Hikmet Karaman paralajmëron Turqinë para ndeshjes kundër Kosovës

GS 29/03/2026 3 Min. Lesezeit

Kosova dhe Turqia do të përballen të martën mbrëma, me fillim nga ora 20:45, në ndeshjen më të rëndësishme në historinë e Kombëtares sonë.

Fituesi siguron kualifikimin në Botëror, ndërsa humbësi mbetet në shtëpi dhe duhet të presë edhe katër vite për një tjetër mundësi.

Trajneri i njohur turk, Hikmet Karaman, i cili ka përvojë të gjatë në drejtimin e skuadrave turke dhe aktualisht drejton Igdirin, ka analizuar këtë përballje për “Hürriyet”.

66-vjeçari ka lavdëruar Kosovën për ndeshjen ndaj Sllovakisë, por edhe për paraqitjet në grup, ku ishte së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

“Të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të hapur dhe me ritëm të shpejtë, që rezultoi me shumë gola. Në atë takim, Kosova tregoi se kur e ka topin në zotërim, pason mirë, nis kundërsulme të shpejta dhe është efektive në krosime dhe tranzicione. Prandaj, taktikat për ndeshjen kundër Kosovës nuk do të jenë të njëjta. Trajneri i tyre, Franco Foda, është gjithashtu një menaxher shumë i mirë dhe me përvojë.

Në fakt, para kësaj ndeshjeje duhet të analizojmë jo vetëm takimin Sllovaki–Kosovë, por edhe atë që Kosova bëri në grupin kualifikues për Kupën e Botës. Zvicra, Sllovenia dhe Suedia janë ndër ekipet më të mira sa i përket mbrojtjes zonale, lojës në tranzicion, kundërsulmeve dhe goditjeve standarde. Dhe Kosova arriti të dalë nga ky grup. Kushtojini vëmendje: ata e mundën Suedinë në të dyja ndeshjet, fituan 2-0 ndaj Sllovenisë jashtë fushe dhe barazuan me Zvicrën, e cila përfundoi në krye të grupit. Pra, nuk na pret një ndeshje e lehtë.

Do të luajmë jashtë fushe dhe tifozët e Kosovës do t’i japin ekipit të tyre një mbështetje të jashtëzakonshme. Edhe njoftimi i kryeministrit për bonuse rekord do të jetë një motivim shtesë për ta. Nuk e di kur do të mbërrijë ekipi ynë atje, por është e rëndësishme ta përjetojnë atmosferën e stadiumit sa më herët. Kjo është një ndeshje e vetme: fituesi shkon në Kupën e Botës”, tha Karaman.

Karaman shtoi se për ta mposhtur Kosovën, Turqia duhet të luajë më mirë sesa ndaj Rumanisë dhe më mirë se në pjesën e dytë ndaj Spanjës.

“Kosova është një ekip i fortë. Ata luajnë me formacion 5-4-1, por gjatë ndeshjes mund të kalojnë në 3-4-2-1. Janë shumë të suksesshëm në rikthimin e topit, ndërsa mesfushorët e tyre janë të gjithanshëm dhe shumë krijues. Është një ekip që kalon shumë mirë në tranzicion dhe përballon presionin. Po, ne kemi yje të rëndësishëm si Arda Güler, Kenan Yıldız dhe liderin e ekipit, Hakan Çalhanoğlu. Por po përballemi me një ekip shumë efektiv në goditjet standarde dhe në sulm. Trajneri ynë patjetër do të përgatisë një taktikë të ndryshme”, përfundoi Karaman.

Teilen: