Monday, 30. March 2026
Sport

Gjasat janë të barabarta apo “50-50” për selektorin Foda

GS 30/03/2026 3 Min. Lesezeit

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka thënë se gjasat janë të barabarta si për “Dardanët” ashtu edhe Turqinë në ndeshjen finale të “play-offit” që luhet të martën mbrëma në Prishtinë.

Foda është paraqitur në konferencën për shtyp, ku menjëherë do ta mbajë edhe stërvitjen para ndeshjes më të rëndësishme.

“Ekipi i Turqisë është shumë i fortë. Ka lojtarë individualë si Yildiz, Guler, Çalhanoglu. Ka shumë lojtarë kualitativë, por edhe ne kemi kualitet. Shanset janë 50-50, do të bëjmë të pamundurën, do të japim gjithçka që ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Foda. “Nuk mund të bëj parashikim sa do të zgjasë loja nesër. Ka mundësi të shkoi në 120 minuta dhe të ketë penallti. E rëndësishme që jemi të përgatitur për të gjithë skenarët”.

Gjithashtu, Foda ka thënë se i njeh shumë mirë anët e forta dhe të dobëta të Turqisë.

“Nuk do ta zbuloj sot taktikën. E njohim anën e fortë, por edhe dobësitë e Turqisë. E rëndësishme që edhe nesër të performojmë me idetë tona. Ekipi i Turqisë është i fortë. E rëndësishme që të jemi kompakt. Me rëndësi është që kur ta kemi topin të kthehemi menjëherë në kundërsulm”, u shpreh ai.

Foda flet ka folur edhe për entuziazmin e madh te Kosova

“Padyshim që vërehet që kemi të bëjmë me një ngjarje shumë të rëndësishme. Nuk ka pasur kaq shumë gazetarë ndonjëherë. Është shumë e rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për Turqinë.

Ne po luajmë për Botëror. Është shans që vjen njëherë. Është mirë që ka eufori, por e rëndësishme që ta mbajmë kokën të qetë dhe t’i përmbahemi planit të lojës. Por është mirë edhe të jemi të motivuar”, shtoi ai.

Selektori Foda e krahason të arriturën me Austrinë me atë me Kosovën

“Është dallim shumë i madh e arritura me Evropian me Austrinë dhe kjo. Edhe atëherë kemi pritur të kualifikohemi, por nuk ishte e garantuar. Megjithatë ishte situatë krejt tjetër. Kur mora drejtimin e Kosovës synim ishte kualifikimi në Evropian. Por zhvillimet e fundit kanë bërë që të jemi në prag të Botërorit. Dhe po, për karrierën time do të jetë diçka shumë e madhe”.

Ndërkohë, Foda tregon çka është e rëndësishme për Kosovën.

“Në kualifikime kemi pranuar pak gola. Me Sllovakinë ishte ndeshje me shumë sulme.

Nesër duhet të qëndrojmë kompakt, duhet t’i bëjmë përmirësime në mbrojtje. Është e rëndësishme që mbrojtja të funksionojë dhe menjëherë të hidhemi në kundërsulme. E rëndësishme që luajmë në vendin tonë dhe ta kërkojmë suksesin”.

Ndeshja Kosovë – Turqi, zhvillohet të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Teilen: