Ylli i Besiktas dhe i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, ka folur për median turke SÖZCÜ në prag të ndeshjes vendimtare të playoff-it, duke e cilësuar atë si momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij dhe të ekipit kombëtar.
Ai pranoi se kundërshtari konsiderohet favorit, por theksoi se besimi dhe motivimi i Kosovës mbeten të larta.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme për Kombëtaren tonë dhe për karrierat tona. Jemi vetëm një hap larg nga të bërit histori”, u shpreh fillimisht Rashica.
Sipas tij, përvoja dhe cilësia individuale e kundërshtarit e bëjnë atë favorit në letër, por kjo nuk e zbeh aspak ambicien e Kosovës.
“Pavarësisht kësaj, ne jemi të uritur për sukses dhe krenarë që përfaqësojmë vendin tonë. Besojmë në cilësinë tonë dhe në mundësinë për të shkruar histori”, tha Rashica.
Ai nënvizoi se arma më e fortë e ekipit është fryma e grupit dhe uniteti.
“Forca jonë më e madhe është puna në ekip. Nuk ndiejmë presion, përkundrazi, po e shijojmë këtë rrugëtim dhe momentin që po jetojmë”, tha ai.
Duke qenë prej vitesh pjesë e futbollit turk, Rashica e cilësoi sfidën edhe si emocionale në aspekt personal.
“Turqia është një vend që e dua dhe ku ndihem si në shtëpi. Por kjo është një ndeshje futbolli dhe unë jam gati të jap gjithçka për vendin tim”, u shpreh ai.
Në fund, ai theksoi se pavarësisht krenarisë për arritjet deri tani, objektivi kryesor mbetet ende për t’u realizuar.