Federata e Futbollit e Turqisë ka lëshuar një njoftim të hënën për tifozët që do të jenë në Prishtinë për ta përcjellë ndeshjen me Kosovën.
Takimi i tifozëve të Turqisë do të bëhet në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku do të jetë edhe një ekran gjigant për të përcjellë ndeshjen Kosovë – Turqi, që nis në orën 20:45.
Sipas njoftimit të federatës turke, ndeshja e së martës mbrëma karakterizohet “e profilit të lartë”.
Tifozët turq janë njoftuar nga federata e tyre, që përdorimi i mjeteve piroteknike është i ndaluar dhe paraqet “krim”.
Po ashtu, në njoftim është e veçantë edhe pjesa e për himnet.
“Himni ynë duhet të këndohet me zë të lartë dhe njëkohësisht nga të gjithë tifozët tanë. Himni i Kosovës duhet të dëgjohet me respektin më të madh, në këmbë dhe në heshtje”, shkruan në njoftim.
Federata turke, gjithashtu ka dhënë edhe shumë informata të tjera të vlefshme për tifozët në prag të finales së “play-offit” për kualifikim në Botërorin 2026.